Rreth Nesh

Stafi akademik dhe infrastruktura

Kolegji Evropian “JURIDICA” është Institucion i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës që ofron programe akademike të studimeve nga fusha juridike, fusha e politikave publike dhe menaxhimit si dhe fusha e kriminalistikës dhe sigurisë me drejtime-specializime bashkëkohore, me staf akademik të kualifikuar me eksperiencë jo vetëm në nivel nacional por edhe ndërkombëtar.

Mbi tetëdhjetë përqind e stafit akademik të Kolegjit “Juridica” ka thirrjen doktor i shkencave që kanë një numër të madh të botimeve shkencore dhe hulumtuese. Në kuadër të procesit mësimor janë angazhuar edhe profesorë nga universitetet e rajonit dhe ato evropiane si dhe ekspertë të praktikës, me cilësi dhe vlera të larta profesionale e shkencore.

Struktura akademike dhe profesionale e Kolegjit Evropian “Juridica” krijon mundësi solide për studime bashkëkohore dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo krijon mundësi për punësim dhe zhvillim të karrierës profesionale dhe shkencore, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në shtete të tjera evropiane dhe në SHBA.

Kolegji Evropian “Juridica” ka një infrastrukturë adekuate, si në aspektin logjistik po ashtu edhe teknik, në funksion të realizimit të procesit mësimor dhe hulumtues, duke përfshirë klasat e mësimit, kabinetet për stafin akademik, bibliotekën, sallën e TI, kabinetet e ushtrimeve, qendrën hulumtuese, etj.

Biblioteka dhe burimet elektronike

Biblioteka e Kolegjit Evropian “JURIDICA” është themeluar me qëllimin për të mbështetur arsimin dhe aktivitetet kërkimore si për studentët, po ashtu edhe për stafin mësimdhënës dhe hulumtues. Biblioteka ka kapacitet prej 60 vendesh, një sipërfaqe prej 100 m2 dhe posedon mbi 5.000 libra profesionale e shkencore në gjuhën shqipe, angleze dhe gjuhë të tjera.

Biblioteka posedon pajisje kompjuterike, për të mbështetur veprimtarinë kërkimore të studentëve dhe stafit akademik. Kolegji Evropian “JURIDICA” posedon me pajisje dhe burime elektronike, sallën e TI si dhe mundësinë e kyçjes në sistemin e bibliotekave elektronike të shumë universiteteve dhe institucioneve në Evropë dhe SHBA.

Bashkëpunimi – Shkëmbim programesh

Kolegji Evropian “JURIDICA” në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ka planifikuar shumë aktivitete studentore dhe akademike, duke u bazuar në Deklaratën e Bolonjës që kanë të bëjnë me mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, hulumtime si dhe botime shkencore. Në këtë aspekt një rëndësi e veçantë i është kushtuar shkëmbimit të programeve studimore, mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik me universitete nga shumë shtete të Evropës, si nga: Gjermania, Austria, Italia, Shqipëria dhe nga SHBA-të. Kjo do të krijojë mundësinë që studentët tanë, një fazë të studimeve – një semestër, t’i vijojnë në universitetet evropiane me renome dhe përvojë ndërkombëtare. Po ashtu një numër i mësimdhënësve nga universitetet evropiane do të jenë staf mësimdhënës – profesor vizitorë – në Kolegjin Evropian “JURIDICA” në Prishtinë. Në planin zhvillimor një nga prioritetet e Kolegjit Evropian “JURIDICA” është edhe krijimi i partneritetit me universitetet dhe institucionet me renome ndërkombëtare nga Evropa dhe SHBA-të, për të zhvilluar programe të përbashkëta studimore dhe hulumtuese. Kolegji Evropian “JURIDICA” ka krijuar bashkëpunim solid edhe me institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës, të cilin bashkëpunim e ka kurorëzuar me nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të ndërsjella.