Instituti “Juridica”

1. Hyrje

.Sistemi i drejtësisë, më konkretisht sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës ka qenë në fokus të ndryshimeve dhe reformave që nga pas lufta e këtej. Ky reformim është tentuar të bëhet përmes ndryshimit të strukturës së gjykatave, shtimit të numrit të gjyqtarëve të rinj dhe largimit të atyre të vjetër të cilët në të kaluarën kishin rënë ndesh me ligjin dhe rregullat e etikës ligjore. Përkundër kësaj, kjo reformë nuk prodhoi rezultatet e dëshiruara, gjegjësisht reduktimin e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura; krijimin e një sistemi gjyqësor modern dhe të pavarur në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi sundimin e ligjit; si dhe rikthimin e besimit dhe rrjedhimisht qasjes së publikut në drejtësi. Prandaj, reforma mori një drejtim tjetër, dhe atë në krijimin e mekanizmave shtesë, alternativ dhe ndihmues të strukturave aktuale të drejtësisë, të cilat do të adresojnë apo reduktojnë në masë të madhe problemet të cilat reforma fillestare nuk arriti t’i zgjidhë.

Për këtë qëllim, u funksionalizuan shërbimi noterial, shërbimi i arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, ndërsa në themelim e sipër janë edhe shërbimi i përmbarimit privat dhe shërbimi i administratorëve falimentues. Këto shërbime juridike pa dyshim se e ndihmojnë jashtëzakonisht shumë sistemin e drejtësisë, por edhe do të kenë impakt të jashtëzakonshëm tek qytetarët në rrugën gjyqësore dhe marrjen e shërbimeve juridike publike që deri më tani kanë qenë vetëm nën juridiksionin e gjykatave.

Lidhur me këto shërbime juridike publike, apo siç njihen ndryshe si “profesionet e lira”, janë krijuar mekanizma ligjor për themelimin dhe mbikëqyrjen e tyre. Megjithatë, këto shërbime juridike publike kërkojnë trajtim të veçantë, profesional dhe afatgjatë, gjë e cila kërkon shumë angazhim dhe trajtim adekuat nga institucione të specializuara. Deri më tani këto profesione ligjore janë trajtuar vetëm nga institucionet publike qeveritare dhe ato ndërkombëtare që i kanë krijuar ato si dhe organet që janë krijuar si pasojë e krijimit të këtyre profesioneve, siç janë odat apo asociacionet e ndryshme. Për këtë dhe për shumë arsye tjera që do të shtjellohen më poshtë, është marrë iniciativa për themelimin e Institutit për Studime të Profesioneve të Lira Ligjore “Juridica”. Instituti për Studimin e Profesioneve të Lira Ligjore “Juridica” merret ekskluzivisht dhe trajton: shërbimin noterial, shërbimin e ndërmjetësimit, shërbimin e arbitrazhit, shërbimin e administratorëve falimentues dhe shërbimin e përmbaruesve privat.

2. Rreth Institutit

.Instituti për Studime të Profesioneve të Lira Ligjore “Juridica” (këtu e tutje, “Instituti Juridica”) është institut apo qendër e themeluar nga dhe nën ombrellën e Kolegjit Evropian ”JURIDICA”. Instituti Juridica është një qendër e pavarur kërkimore, që përmes studimeve dhe analizave rreth shërbimit noterial, shërbimit të përmbaruesve privat, shërbimit të administratorëve falimentues, shërbimit të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit, synon të kontribuoj në zhvillimin dhe avancimin e këtyre profesioneve dhe shkencës të këtyre profesioneve në Kosovë. Instituti Juridica ka orientim akademik, kërkimor dhe shkencor. I njëjti përmes analizave ligjore, hulumtimeve dhe rekomandimeve konkrete synon të ndihmojë institucionet publike, si Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera relevante në Kosovës në adoptimin e praktikave më të mira të funksionimit, studimeve dhe hulumtimeve të profesioneve të lira ligjore.

.Instituti Juridica përbëhet nga studiues vendor dhe ndërkombëtar, të cilët ofrojnë kontribut ligjor, shkencor dhe praktik në fushën e profesioneve të lira ligjore publike. Instituti Juridica do të udhëhiqet nga personalitete të dëshmuara të shkencës juridike në përgjithësi, dhe ekspert të profesioneve të lira ligjore. Instituti Juridica ka staf mjaft të avancuar me specializime të veçanta nga fushë veprimtaria e Institutit, duke filluar nga gradat më të larta shkencore e deri tek praktikantët student.

3. Grupet e Fokusit

Institucionet dhe personat primar të targetuar të Institutit Juridica janë: Ministria e Drejtësisë, Oda e Noterëve, Oda e Avokatëve, Qendrat Ndërmjetësuese, Tribunalet e Arbitrazhit, qytetarët si përfitues të shërbimeve juridike publike, si dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë brenda dhe jashtë Kosovë. Më tutje, Instituti ka në fokus edhe studentët e drejtësisë dhe studiuesit e pavarur si dhe shoqërinë civile.

4. Metodologjia

Qëllimet dhe kontributin e vet Instituti Juridica do ta arrijë përmes: publikimeve shkencore dhe ligjore, konferencave shkencore akademike, analizave të politikave ligjore, programeve hulumtuese, rekomandimeve ligjore, shkollave verore, trajnimeve dhe asistencës në procesin e bërjes dhe implementimit të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore në Republikën e Kosovës.

5. Fushëveprimtaria

Instituti Juridica do të veprojë në këto fusha: shërbimi noterial, shërbimi i arbitrazhit, shërbimi i ndërmjetësimit, shërbimi i përmbaruesve privat dhe shërbimi i administratorëve falimentues.

6. Qëllimet dhe objektivat

.Instituti Juridica është instituti i parë në Kosovë që në fokus të përqendrimit dhe punës së tij do të ketë profesionet e lira ligjore publike. Instituti Juridica ka këto qëllime dhe objektiva:
Avancimin e profesioneve të lira ligjore:

  • Të ndihmojë organet gjegjëse në hartimin e politikave afatmesme dhe afatgjata për profesionet e lira ligjore;
  • Rritjen e transparencës lidhur me punën e profesioneve të lira ligjore;
  • Harmonizimin e legjislacionit lidhur me ushtrimin e profesioneve të lira ligjore;
  • Gjetjen e modaliteteve për lehtësimin e punëve të gjykatave;
  • Mbikëqyrjen e aplikimit të tarifave nga profesionet e lira ligjore;
  • Këshillimin e qytetarëve rreth shërbimeve juridike publike;
  • Të vetëdijësoj publikun rreth profesioneve të lira ligjore me anë të kampanjave vetëdijësuese;
  • Digjitalizimin e profesioneve të lira ligjore;
  • Këshillimin e duhur ligjor;
  • Rritjen e transparencës të punës së zyrave kadastrale;
  • Mbrojtjen e ambientit nga vendimet e shërbimeve juridike publike;
  • Fuqizimin e rinisë në profesionet e lira ligjore;
  • Përgatitjen e rinisë për qasje në profesionet e lira ligjore.